Profili i Kryetarit
Emri: Isa Mustafa
Data e lindjes: 1951-05-15
Edukimi:Në Prishtinë ka kryer shkollimin fillor, atë të mesëm dhe Fakultetin Ekonomik. Ka magjistruar në shkencat organizative Menaxhmenti Financar dhe ka doktoruar në ekonomi në fushën e Lidershipit të ekonomisë.
Kariera Politike: Është anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Kariera e punes: Është profesor i Ekonomiksit (Mikroekonomisë) dhe i Menaxhmentit Financiar në Universitetin e Prishtinës. Nga data 14 shkurt 2006 është emëruar Këshilltar i Lartë për Ekonomi i Presidentit të Kosovës, detyrë të cilën e ka kryer deri ka sa është zgjedhur kryetar i Komunës së Prishtinës. Ka qenë i angazhuar aktivisht në organet drejtuese të institucioneve me rëndësi për Kosovën: anëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, anëtar i Bordit Drejtues të Autoritetit Qendror Bankar të Kosovës, Nënkryetar i Institutit për Hulumtime Zhvillimore Riinvest dhe bashkëthemelues i Universitetit Riinvest.
Ekspertizën profesionale e filloi nga viti 1974 si pedagog në Universitetin e Prishtinës, ndërkohë ka qenë edhe kryetar i Qeverisë Komunale të Prishtinës (1984-1988), drejtor i Entit për Plan dhe Zhvillim të Kosovës dhe ministër i Ekonomisë dhe Financave të Republikës së Kosovës (1991-1999). Ka qenë kryetar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës Dardania, anëtar i Këshillit Drejtues të Bankës së Re të Kosovës dhe anëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit Amerikan në Prishtinë.
Pas luftës, kryesisht, ëshë angazhuar në punën shkencore dhe hulumtuese në Institutin Riinvest dhe në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës.
Në kuadër të programeve të bashkëpunimit dhe ngritjes profesionale e shkencore ka qëndruar disa herë në Staffordshire University në Britani të Madhe dhe një herë në Fakultetin e Ekonomisë dhe Ekonometrisë të Universitetit të Amsterdamit. Ka udhëhequr dhe ka marrë pjesë në disa projekte vendëse dhe ndërkombëtare në fushën e zhvillimit ekonomik, sidomos ato që kanë të bëjnë me politikat fiskale, arsimin dhe zhvillimin ekonomik lokal.
Ka botuar disa tekste universitare, tekste për shkolla të mesme si dhe punime të tjera shkencore dhe profesionale në vend dhe jashtë vendit. Ka qenë aktivisht i angazhuar në grupet e ekspertëve në bisedimet e Vjenës për statusin përfundimtar të Kosovës.
Në periudhën e viteve 1990-1999, pas shpalljes së Kushtetutës së Kaçanikut, është ndjekur nga regjimi serb dhe ka qëndruar jashtë vendit, kryesisht në Gjermani, Zvicër, Shqipëri, Slloveni dhe Kroaci, ku si Ministër i Ekonomisë dhe Financave ka qenë njëri nga ideatorët dhe themeluesit e Sistemit të Financimit të Republikës së Kosovës, i cili falë mbështetjes së bashkatdhetarëve dhe popullit të Kosovës arriti të sigurojë mbijetesën në Kosovë, funksionimin e arsimit dhe mbështetjen e rezistencës paqësore dhe luftës çlirimtare.
